Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë muajit gusht, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave, skuterëve dhe trotinetëve.
Në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe trotinetëve”, policia ka shqiptuar gjithsej 50 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave për shkelje të rregullave të komunikacionit.
Sipas njoftimit të Policisë, 27 gjoba janë shqiptuar për drejtim të motoçikletës pa patentë shofer, ndërsa 11 për drejtim të motoçikletës pa regjistrim.
Katër gjoba të tjera janë shqiptuar për drejtim pa helmetë mbrojtëse, ndërsa tetë masa të tjera janë ndërmarrë për kundërvajtje të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, Policia ka konfiskuar 14 motoçikleta/skuterë dhe tetë trotinetë, kryesisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt.
Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të motoçikletave dhe trotinetëve.
“Ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, thuhet në njoftim.
