Deputetja e PDK-së thotë se heroizimi i liderit në ngjarje partiake dëmton shëndetin demokratik.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur keqardhje për atë që e cilëson si “mentalitet që prodhon” kënga e këngëtares Edona Llalloshi kushtuar kryeministrit Albin Kurti, e interpretuar në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër.
“Nuk është e lehtë të kontrollosh çdo veprim të mbështetësve – ata mund të shkruajnë këngë, të bëjnë tatuazhe apo edhe të ngrenë shtatore. Edhe kjo është e dëmshme për shëndetin demokratik, por deri diku e kuptueshme,” ka shkruar Çitaku.
Megjithatë, ajo vlerëson se situata ndryshon rrënjësisht kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vetë partia, ndërsa lideri, sipas saj, e pranon këtë duke duartrokitur.
“Kjo nuk është më thjesht shije e keqe. Kjo është përtej marrëzisë. Dhe është e rrezikshme për mentalitetin që promovon,” ka përfunduar Çitaku në reagimin e saj.
