Nga kërcënimet për të qëlluar policinë deri te dyshimet për vrasje me pagesë e trafikim ndërkombëtar të drogës – çfarë zbulojnë komunikimet në “SkyECC” dhe pse tre të pandehur u lanë në liri me nga 10 mijë euro.
Gazeta Insajderi
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin e madh të përgjimeve nga aplikacioni “SkyECC”. Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, 11 të pandehurve u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, ndërsa për tre të tjerë kjo masë është zëvendësuar me dorëzani financiare prej 10,000 eurosh secili.
Dosja e PSRK-së: Sulme ndaj policisë, rrëmbime dhe koka të prera
Në arsyetimin e Gjykatës për vazhdimin e paraburgimit ndaj 11 të pandehurve janë veçuar të dhëna alarmante nga transkriptet e komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, të siguruara në kuadër të operacionit ndërkombëtar “White Star”, të zhvilluar nga autoritetet e Francës, Belgjikës, Holandës dhe EUROPOL-it:
I pandehuri Abedin Gjakova, në komunikimet e tij, kishte deklaruar se nëse ndalohej nga policia gjatë transportit të drogës, do të shtinte me armë zjarri ndaj zyrtarëve policor.
Dosja përmban komunikime që lidhen me planifikimin e vrasjeve me pagesë, si dhe shkëmbimin e fotografive të kokave të njerëzve të prerë, të përdorura si mesazhe frikësimi brenda grupit.
Zgjerimi i hetimeve për rrëmbim: Ndaj Roland Beqirit, hetimet janë zgjeruar edhe për veprën penale të rrëmbimit dhe keqtrajtimit të një personi.
Grupi dyshohet për organizimin e transportit të sasive të mëdha të heroinës, kokainës dhe marihuanës nga Irani, Turqia, Shqipëria dhe Ekuadori drejt Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Qëndrimi i Mbrojtjes: “Arsyetimi i Prokurorisë bazohet në supozime të përgjithshme”
Gjatë seancës dëgjimore, avokatët mbrojtës të të pandehurve e kanë kundërshtuar ashpër kërkesën e Prokurorisë Speciale. Mbrojtja nënvizoi se transkriptet e aplikacionit “SkyECC” nuk mund të merren si dëshmi automatike për izolim pa u analizuar roly dhe veprimet individuale të secilit të pandehur.
Në pretendimet e paraqitura para gjykatës, mbrojtja e të pandehurve deklaroi: ”Kërkesa e Prokurorisë Speciale mbështetet vetëm në supozime të përgjithshme dhe pa ofruar dëshmi konkrete se klientët tanë do të ikin apo do të ndikojnë në rrjedhën e procedurës. Të gjithë kanë vendbanime të përhershme në Kosovë, janë të lidhur me familjet e tyre dhe janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo thirrjeje të drejtësisë, ndaj paraburgimi është masë joproporcionale.”
Pse u liruan tre të pandehurit e tjerë?
Për Armend Ismajlin, Edin Berishën dhe Lorik Tiganin, Gjykata ka vlerësuar se, ndonëse ekziston dyshimi i bazuar, rreziku procedural është më i ulët.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, ata nuk kanë përdorur identitete të rreme, nuk ndërlidhen me veprime të drejtpërdrejta të dhunshme dhe nuk kanë pasur aktivitet të dokumentuar në periudhën e fundit. Tre të pandehurit do të lirohen nga paraburgimi vetëm pasi të deponojnë shumën prej 10 mijë eurosh në arkën e Gjykatës dhe t’u sekuestrohen dokumentet e udhëtimit.
