Ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës gjatë Qeverisë Kurti I, Haki Abazi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike, veçanërisht për bashkëpunimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, si dhe mospajtimet brenda LDK-së rreth çështjes së presidentit.
Abazi ka thënë se për Abdixhikun ekziston vetëm një rrugë racionale, që sipas tij është tërheqja nga marrëveshja me LVV-në dhe ndërtimi i një konsensusi të gjerë opozitar.
Sipas Abazit, nëse Abdixhiku vazhdon në këtë mënyrë, ai është duke shkuar drejt fundit të karrierës së tij politike, ndërsa njëkohësisht po i mundëson LVV-së realizimin e objektivit të saj strategjik për shpërbërjen e LDK-së.
Ai ka thënë se shpërbërja e LDK-së, sipas tij, do të nënkuptonte edhe shpërbërjen e modelit aktual të Republikës.
“Për Lumir Abdixhikun, ekziston vetëm një dritare racionale: tërheqja nga marrëveshja aktuale me LVV-në dhe ndërtimi i një konsensusi të gjerë opozitar. Vazhdimi i kursit aktual çon në mënyrë deterministe në perëndimin e karrierës së tij politike dhe në realizimin e objektivit strategjik të LVV-së: shpërbërjen simbolike të LDK-së si parakusht për shpërbërjen e modelit aktual të Republikës”, ka shkruar Abazi.
