Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se opozita, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, së bashku me Lista Serbe, po synojnë eliminimin e kryeministrit Albin Kurti nga politika.
Këto komente Rrustemi i bëri në DTV MEDIA, ku tha se qytetarët nuk duhet ta humbin besimin te vota e tyre, pasi sipas tij, mbështetja për LVV-në mund të rritet edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme.
“Qytetari nuk duhet ta humbë besimin te vota e tij. Tash mund të ketë një votë edhe më të mirë për LVV-në”, është shprehur Rrustemi.
Ai theksoi se pret që rezultati i Lëvizja Vetëvendosje të jetë dukshëm më i lartë se 51 për qind, duke shtuar se zhvillimet politike të fundit, sipas tij, vetëm sa po e forcojnë përkrahjen qytetare për partinë në pushtet.
Sipas deputetit të LVV-së, opozita po bashkërendon veprimet me qëllim dobësimin politik të Kurtit, por ai u shpreh i bindur se qytetarët do ta vlerësojnë punën e qeverisë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin LVV-në.
