Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar gjithsej 1 mijë e 966 gjoba ndaj kundërvajtësve gjatë një jave të angazhimeve të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik.
Sipas njoftimit të policisë, masat janë ndërmarrë në periudhën 31 korrik – 6 gusht 2026, në kuadër të planeve operative për sigurinë në trafik, të realizuara nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar 72 aksidente trafiku, prej të cilave 47 kanë përfunduar vetëm me dëme materiale, ndërsa 25 kanë rezultuar me persona të lënduar.
Përveç gjobave në trafik, policia ka shqiptuar edhe 14 gjoba për shkaktim të zhurmave gjatë natës, 26 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit, si dhe 79 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Po ashtu, masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike është shqiptuar ndaj 53 drejtuesve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve afariste që gjatë orëve të natës të shmangin veprimet që shkaktojnë zhurmë të panevojshme dhe mund të shqetësojnë banorët.
Policia ka theksuar se kontrollet dhe masat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe rritjen e sigurisë në trafik.
