Altin Krasniqi, i biri i Jakup Krasniqit, ka reaguar sërish lidhur me ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut, për familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Krasniqi i ka replikuar një komentuesi, i cili ka kritikuar qëndrimin e tij karshi ftesës së Haxhiut. Ai ka thënë se Haxhiu do duhej të shkonte në shtëpitë e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët morën aktgjykim dënues nga Gjykata Speciale, shkruan Insajderi.
“Marre tkoft. Ke reagu pikrisht me parime politike. Si baba jot qe ka kontribu kan ndertu edhe shum baba tjere per institucione. Mendesia juve nuk ndrron, parimet politike dhe interesa personale jau kan mujt cdoher ato shtetrore. Deputet i hatrit se jo i merites!”, ka thënë komentuesi.
“Kur ke një rast të rëndë në familje, a shkon ti apo vijnë njerëzit për të të dhënë mbështetje? Ajo na ka thirrur si familjarë dhe, për këtë arsye, duhet të vijë në shtëpinë tonë. Kur të më thërrasë si deputet, atëherë, normalisht, do të shkoj. Interes shtetëror është që të reagojnë institucionet dhe të ketë unitet politik, jo të thirren familjarët në Presidencë”, ka deklaruar Krasniqi.

