Gjatë ditës sotme rreth orës 11:50, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime.
Sipas Policisë, në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete me targa civile-vendore, ndërsa gjashtë persona të lënduar në këtë aksident janë dërguar fillimisht në emergjencën e spitalit në Vushtrri.
Njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Pas marrjes së ndihmës së parë, personat e lënduar janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Ndërsa rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën.
Trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetuesit e aksidenteve të trafikut do të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
