Autoritetet gjermane pezulluan përkohësisht operacionet e fluturimit në aeroportin Leipzig/Halle pas zbulimit të një droni pranë zonës së ngarkesave, të cilit i ishte bashkangjitur një pajisje e dyshuar shpërthyese.
BILD raportoi se droni u zbulua pak para mesnatës në platformën e ngarkesave dhe se mbante një substancë të panjohur me detonator. Hetuesit e trajtuan atë si një pajisje të mundshme shpërthyese, ndërsa në vendngjarje u angazhuan ekspertë për çaktivizimin e bombave dhe një robot i telekomanduar për ndërhyrje. Gazeta thekson se nuk është bërë e ditur nëse është kryer një shpërthim i kontrolluar i pajisjes.
Sipas të njëjtit burim, droni ndodhej në afërsi të një aeroplani mallrash ukrainas të tipit Antonov. Zëdhënësja e aeroportit, Maret Montavon, i tha BILD-it se zona e ngarkesave, ku ndodhi incidenti, është e ndarë fizikisht nga platforma e avionëve të pasagjerëve.
Si masë sigurie, trafiku ajror u pezullua për rreth dy orë dhe disa fluturime u devijuan. Një aeroplan mallrash ndërpreu procedurën e uljes, teksa tabloidi gjerman raportoi se më vonë ai u ballafaqua në ajër me një objekt të paidentifikuar, rreth 400 metra mbi tokë dhe rreth gjashtë kilometra larg aeroportit. Avioni u ul në Hanover, ku gjatë kontrollit teknik u konstatuan dëmtime të lehta në pjesën e përparme.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se aeroporti vazhdon të funksionojë normalisht dhe se nuk ekziston rrezik për qytetarët, teksa hetimet për incidentin janë ende në zhvillim.
