Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ngritur alarmin pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes “Lija e Dhenve dhe Dhive” në disa komuna të Kosovës.
Sipas AUV-së, rastet janë evidentuar në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, ndërsa fermerëve u është bërë thirrje të shtojnë kujdesin dhe të zbatojnë masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Institucioni ka kërkuar që fermerët të mos lëvizin delet dhe dhitë pa autorizim nga veterineri zyrtar, të kufizojnë hyrjet në ferma dhe të shmangin kontaktin mes tufave të ndryshme.
Gjithashtu, AUV ka rekomanduar pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, si dhe mbajtjen në izolim të kafshëve të reja para se të bashkohen me tufën.
Fermerët janë udhëzuar që të njoftojnë menjëherë veterinerët ose inspektorët e AUV-së në rast se vërejnë simptoma si temperaturë të lartë, plagë ose puçrra në lëkurë, rrjedhje nga sytë apo hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje të kafshëve.
AUV ka sqaruar se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike për fermerët dhe sektorin e blegtorisë.
