Amina Nuraj, shqiptare nga Novi Pazari dhe e martuar në Mitrovicë, ka reaguar ashpër ndaj institucioneve të Kosovës, duke akuzuar ato për neglizhencë, zvarritje të procedurave dhe trajtim të padrejtë.
Sipas saj, tash e nëntë muaj është lënë pa pagë, ndërsa kërkesa për marrjen e shtetësisë së Kosovës vazhdon të mbetet pa përgjigje nga autoritetet kompetente. Nuraj thotë se përveç vështirësive administrative, po përballet edhe me maltretime psikologjike dhe ndalime të vazhdueshme në kufi me Serbinë.
“Po duket sikur qëllimi është të më lodhin sa më shumë, por nuk mund të ma marrin dashurinë për kombin tim dhe vullnetin për të vazhduar në këtë rrugë”, është shprehur ajo.
Në reagimin e saj, Nuraj ka kritikuar ashpër institucionet për mungesë të veprimit, duke theksuar se pavarësisht pengesave, nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e saj.
“Me besim në Zot dhe me zemër të pastër, nuk do të ndalem. Nuk u thyem as nga dora e armikut, e as nga dora e shqiptarëve të shitur Serbisë”, ka deklaruar ajo.
