Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka komentuar Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke theksuar se luftimi i pasurisë së paligjshme është i domosdoshëm, por procesi duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Gjini ka thënë se pasuria për të cilën nuk mund të dëshmohet prejardhja e ligjshme duhet të hetohet dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, të konfiskohet.
Megjithatë, ai ka shprehur rezerva për mënyrën se si është hartuar ligji, duke paralajmëruar se ai mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Gjinit, ligji nuk është në rregull në formën aktuale dhe ekziston rreziku që zbatimi i tij të kontestohet në aspektin kushtetues.
Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se qëllimi i ligjit nuk lidhet vetëm me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por mund të përmbajë edhe elemente politike.
Gjini ka theksuar se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të bëhet, por vetëm përmes procedurave të drejta dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën.
