Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, i ka bërë thirrje publike Halil Gecit që ta largojë dhe tërheqë një publikim të bërë sot, për të cilin thotë se i atribuohen qëndrime që nuk i ka shprehur dhe se është etiketuar me formulime fyese.
Tahiri ka thënë se deklarata e tij se “Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të krijojë një Republikë të re” është bërë në kontekstin e mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj, shkruan Insajderi.
Sipas tij, pretendimi se ai “e dua Republikën e vjetër serbe”, si dhe etiketa “Tahirovski i Serbisë”, paraqesin shtrembërim të deklaratës së tij dhe cenojnë reputacionin e tij.
“Deklarata ime se ‘Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të krijojë një Republikë të re’ është dhënë qartësisht në kontekstin e mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, të Kushtetutës dhe të institucioneve të saj”, ka shkruar Tahiri.
Ai është thirrur në Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, duke kërkuar nga Geci që ta largojë publikimin dhe të kërkojë falje publike.
“Në të kundërtën, mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të mia do ta kërkoj në Gjykatë”, ka paralajmëruar Tahiri.
Postimi:
