Anëtari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, ka komentuar situatën politike në vend lidhur me moszgjedhjen e presidentit të ri.
Në një paraqitje në emisionin “Sofra e Salihut” në DTV Media, Arifi theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi partinë më të madhe në vend.
Sipas tij, në politikë “fajin gjithmonë e ka më i forti”, duke nënvizuar se partitë e vogla nuk kanë kapacitet për të zgjedhur presidentin.
“Një parti që ka 5% apo 13% nuk mund ta zgjedhë presidentin. Ai që i fiton zgjedhjet dhe që ka mbi 51% të votave, mund ta formojë qeverinë brenda një ore dhe të çojë përpara proceset,” u shpreh Arifi.
Ai shtoi se, megjithëse ka pasur oferta për bashkëpunim nga Albin Kurti ndaj partive politike, ato, sipas tij, kanë qenë ofenduese.
Arifi theksoi se në një sistem demokratik është i domosdoshëm kompromisi politik, duke kritikuar qasjen aktuale dhe duke bërë thirrje për bashkëpunim më të gjerë mes subjekteve politike për të zgjidhur çështjen e presidentit.
