Pesë persona janë arrestuar dje në Fushë Kosovë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me një pronë prej dy hektarësh, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Komuna e Fushë Kosovës tha se mirëpret çdo veprim të institucioneve të drejtësisë që synon zbardhjen e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të pronës publike.
Komuna shtoi se ka ndërmarrë masa institucionale ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas saj, ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas Komunës, Fushë Kosova ka pësuar ndër vite dëme nga keqpërdorimi dhe tjetërsimi i pronës publike, ndërsa zhvillimi i madh demografik ka rritur nevojën për hapësira publike për shkolla, çerdhe, parqe dhe infrastrukturë tjetër.
“Ne nuk do të mbrojmë askënd dhe nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e pasurisë publike, pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, Komuna ka theksuar se nuk paragjykon asnjë person dhe se përfundimet duhet t’u lihen hetimeve dhe institucioneve kompetente.
“Prona publike është e qytetarëve. Ajo nuk është për t’u keqpërdorur — është për t’u shërbyer qytetarëve”, ka përfunduar Komuna e Fushë Kosovës në deklaratën e saj.
