Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Ai dyshohet se i ka shkaktuar humbje në vlerë prej dhjetëra milionë dinarësh ndërmarrjes publike “Beogradske elektrane” (Centralet Energjetike të Beogradit) gjatë kohës që shërbente si drejtor i saj.
Basta dyshohet se ka autorizuar dhurime të pambështetura për klube të ndryshme sportive, përfshirë klube më të vogla futbolli dhe basketbolli, si dhe një klub të sporteve me kuaj.
Pjesëtarë të Shërbimit Kundër Korrupsionit aktualisht po kryejnë arrestime dhe po kontrollojnë ambiente të ndryshme.
Në paraburgim po merren edhe disa persona të tjerë që lidhen me Bastën.
Rade Basta ka shërbyer si ministër i Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra.
Ai u largua nga posti pasi i bëri thirrje Qeverisë që “të deklarohet urgjentisht lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës”. Më pas, ai themeloi lëvizjen “Rruga Evropiane”.
Ai ishte emëruar ministër ndërsa ishte anëtar i partisë “Serbia e Bashkuar” (Jedinstvena Srbija); kjo parti më pas kërkoi largimin e tij nga të gjitha postet partiake dhe publike për të cilat e kishte propozuar, duke iu referuar deklaratave të tij lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
