E ftuara në emisionin “Forum” në DTV Media, psikologia Atifete Syla, ka folur për dhunën ndaj grave dhe faktorët shoqërorë që, sipas saj, ndikojnë në vazhdimësinë e këtij fenomeni në Kosovë.
Gjatë diskutimit për rastin e rëndë të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, Syla ka theksuar se rritja e numrit të raportimeve për dhunë nuk nënkupton domosdoshmërisht se dhuna është shtuar, por se gratë tashmë kanë filluar të vetëdijesohen për të drejtat e tyre dhe të denoncojnë rastet.
Ajo ka rikujtuar edhe mentalitetin tradicional në shoqërinë tonë, ku gruaja shpeshherë trajtohej si pronë e burrit dhe kishte pak të drejta në vendimmarrjen familjare.
Si shembull, Syla ka përmendur rastet kur, nëse një grua nuk lindte djalë, familja ose burri kërkonin të merrnin edhe një grua tjetër për të pasur trashëgimtar mashkull.
Sipas saj, kjo mënyrë e të menduarit lidhet me mentalitetin dhe mënyrën se si është rritur shoqëria jonë ndër breza.
“Ne jemi një shoqëri e dalë nga lufta, një shoqëri e dramatizuar”, ka qenë një nga vlerësimet e saj gjatë diskutimit.
Syla ka theksuar se në shoqërinë kosovare ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në problemet sociale dhe familjare, prandaj është e domosdoshme që të trajtohet seriozisht edhe çështja e shëndetit mendor.
Ajo ka shprehur shqetësimin se kjo fushë nuk ka marrë vëmendjen e duhur deri më tani, pavarësisht nevojës për trajtim dhe mbështetje profesionale.
Diskutimi në “Forum” vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, rast që ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta, me kërkesa për drejtësi, mbrojtje më të madhe të grave dhe përgjegjësi institucionale.
