Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në ruajtjen e produkteve ushqimore, si pasojë e rritjes së temperaturave gjatë ditëve të fundit.
Në njoftimin e saj, AUV u ka kërkuar operatorëve ekonomikë që merren me ushqime të respektojnë me përpikëri standardet dhe kërkesat ligjore për sigurinë ushqimore, në mënyrë që të parandalohet prishja e produkteve dhe rreziku për konsumatorët.
“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët dhe secili duhet të tregojë kujdes në çdo fazë të ruajtjes së ushqimit. Vetëm përmes respektimit të rregullave mund të shmangen rastet e helmimeve dhe të mbrohet shëndeti publik”, thuhet në reagimin e AUV.
Agjencia ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë sezonit të verës do të intensifikohen kontrollet në terren, me qëllim mbikëqyrjen e respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Sipas AUV, çdo shkelje e rregullave ligjore do të trajtohet me masa përkatëse pa tolerim.
Autoritetet apelojnë qytetarët dhe bizneset që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë periudhave me temperatura të larta, kur rreziku i prishjes së ushqimeve është më i madh.
