Avokati Alban Duraj ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e Bleona Matës, e cila është zhdukur prej vitesh.
Duke folur në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, Duraj tha se ka komunikuar me nënën e Bleonës, Bukurie Mata, e cila i ka treguar se hetimet private kanë çuar te vendndodhja e vajzës.
Sipas avokatit, Bukurie Mata i ka thënë se Bleona ndodhet në një prej vendeve të Bashkimit Evropian.
“Ajo ka thënë se Bleona është në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Pra, kanë arritur që ta identifikojnë se ku ndodhet. Është studente, madje e shkëlqyer, ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek. Kaq më tha për momentin”, deklaroi Duraj, raporton Top Channel, transmeton Sinjali.
Ai tregoi se nëna e Bleonës kishte angazhuar një agjenci që merret me gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur. Sipas tij, për këtë është përdorur edhe një pjesë e parave të mbledhura nga qytetarët shqiptarë për rastin.
Duraj tha se komunikimi i fundit me Bukurie Matën ka ndodhur në fund të qershorit ose në fillim të korrikut dhe se ajo i kishte thënë se ishte shumë afër gjetjes së vajzës.
Avokati shtoi se nëna e Bleonës nuk i kishte dhënë më shumë detaje, por kishte premtuar se, nëse takohet me të bijën, do të kërkojë përgjegjësi për personat që mund të kenë pasur rol në zhdukjen e saj apo në moszbardhjen e rastit.
“Sapo të takohet me Bleonën, nuk do ta lërë me kaq. Të gjithë personat që kanë ndihmuar në zhdukjen e Bleonës apo ata zyrtarë që kanë vepruar apo nuk kanë vepruar për zbulimin e saj, ajo nuk do ta lërë”, tha Duraj.
Sipas tij, në rast të një takimi me Bleonën, Bukurie Mata synon që çështjen ta ndjekë edhe në Prokurorinë e Posaçme.
