Avokati Korab Bokshi, mbrojtës i ish-ministrit Astrit Haraqija, ka folur për Gazetën lidhur me arrestimin e klientit të tij në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”, duke deklaruar se Haraqija mohon çdo përfshirje në veprën penale për të cilën dyshohet.
Bokshi ka bërë të ditur se në momentin e arrestimit, policia nuk i kishte treguar klientit të tij arsyen konkrete të ndalimit.
Sipas avokatit, Haraqijës i është bastisur shtëpia, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë inkriminuese.
Bokshi ka treguar se policia ka sekuestruar disa mjete monetare, për të cilat Haraqija pretendon se janë kursime të dy fëmijëve të tij dhe të familjarëve. Sipas avokatit, këto pretendime pritet të dëshmohen në të ardhmen përmes faturave dhe dokumentacionit përkatës.
“Klienti im është figurë publike dhe mund të ketë pasur rast të takohet me ndonjërin prej personave të përfshirë në këtë rast, por ai drejtpërdrejt mohon komunikimet dhe ndërlidhjet me këtë vepër penale”, ka deklaruar Bokshi.
Avokati ka bërë të ditur se Astrit Haraqija është ndaluar për 48 orë, ndërsa ai, në cilësinë e mbrojtësit, ka paraqitur ankesë ndaj vendimit për ndalim, por deri në momentin e prononcimit nuk kishte marrë përgjigje.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Heshtja” është arrestuar edhe Baftije Feka, e cila fillimisht ishte në kërkim të Policisë. Me arrestimin e saj, numri i të arrestuarve në këtë rast ka arritur në gjashtë.
Në mesin e të arrestuarve janë Astrit Haraqija, Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku, Gëzim Feka dhe Baftije Feka.
Gjatë operacionit të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, Policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, rreth 16 mijë euro para të gatshme, disa automjete luksoze, ora, telefona, pajisje elektronike, armë zjarri dhe municion. Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar është raportuar të jetë rreth 301 mijë euro.
Rasti po vazhdon të hetohet nga organet e drejtësisë, ndërsa të gjithë të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
