Organizata AVONET ka kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit me vlerë 743 mijë euro të iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT), duke vlerësuar se ajo nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, organizata ka bërë thirrje për hetimin e zyrtarëve përgjegjës që kanë marrë pjesë në inicimin dhe zhvillimin e kësaj procedure.
Sipas AVONET-it, pas analizimit të dokumentacionit të tenderit me nr. 207-26-5948-2-1-1, janë konstatuar dyshime se procedura është përdorur në mënyrë të gabuar për angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si kontrata mbi vepër.
Organizata thekson se, bazuar në nenin 57 të Rregullores për Prokurimin Publik, Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta mund të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme për angazhimin e ekspertëve me ekspertizë specifike ose për shërbime profesionale që institucioni nuk mund t’i sigurojë përmes kapaciteteve të veta ose procedurave të rregullta të rekrutimit.
Megjithatë, sipas AVONET-it, procedura e MKT-së parasheh angazhimin e dhjetëra personave për periudha 12 dhe 36-mujore, me orar të plotë pune, çka, sipas organizatës, tregon se bëhet fjalë për marrëdhënie të vazhdueshme pune dhe jo për shërbime të veçanta.
Në mesin e profileve të kërkuara janë arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, administratorë të databazës, interpretues muzealë, specialistë teknikë dhe profile të tjera që, sipas AVONET-it, ushtrojnë funksione të zakonshme administrative, profesionale dhe operative brenda Ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj.
AVONET vlerëson se përdorimi i procedurave të prokurimit publik për sigurimin e personelit që kryen detyra të përhershme institucionale mund të përbëjë shmangie të procedurave të rregullta të rekrutimit dhe të cenojë parimet e ligjshmërisë, konkurrencës, transparencës, trajtimit të barabartë dhe meritokracisë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se organizata ka marrë parasysh edhe njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i cili thekson obligimin e autoriteteve kontraktuese që procedurat e prokurimit t’i zhvillojnë në përputhje me ligjin dhe me qëllimin e instrumenteve të prokurimit.
AVONET paralajmëron se, nëse vërtetohet se procedura është iniciuar me vetëdije në kundërshtim me legjislacionin, mund të lindë përgjegjësi administrative, disiplinore dhe penale për zyrtarët përgjegjës, përfshirë dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Përmes kësaj deklarate, AVONET i ka bërë thirrje Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që ta anulojë menjëherë procedurën e prokurimit, duke kërkuar që nevojat për personel të adresohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Po ashtu, organizata u ka kërkuar organeve mbikëqyrëse dhe institucioneve kompetente të shqyrtojnë ligjshmërinë e procedurës dhe të ndërmarrin masat e nevojshme administrative e ligjore, ndërsa organeve të drejtësisë u ka bërë thirrje të iniciojnë hetime për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në inicimin, miratimin dhe zhvillimin e kësaj procedure.
