Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami ka reaguar në lidhje me raportin e fundit që është publikuar nga WorldAtlas, ku Kosova del e dyta për nga varfëria në Evropë duke qenë vetëm pas Moldavisë.
Në lidhje me këtë, Bajrami ka thënë se derisa Kurti për gjashtë vite po propagandon për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, sipas saj, vendi po përballet me varfëri të thellë.
“Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë.
“Rritja e buxhetit nuk është domosdoshmërisht zhvillim, sidomos kur një pjesë e saj vjen nga rritja enorme e çmimeve. Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë. Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi. Ndërkohë, vendi është futur sërish në proces zgjedhor për një arsye të vetme: sepse Kurti i do të gjitha. Fatkeqësisht, diskursi që ai ka mbjellë qe gjashtë vjet ka të bëjë vetëm me pozita, vetëm me karrige”, ka shtuar Bajrami.
Ajo ka thënë se sot duhet të ketë ballafaqim programesh e idesh se si të dilet nga varfëria, si të zhvillohet sektori privat, si të nxitet prodhimi vendor, çka me kapacitetet energjetike dhe si t’u japim të rinjve perspektivë, që ikja nga Kosova të mos jetë zgjedhja e tyre e vetme.
“Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë”, ka shtuar Bajrami.
