Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se gjatë bastisjes së kryer këtë të premte në lokacionin e njërit prej të arrestuarve për krime lufte në Zubin Potok, janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi që, sipas autoriteteve, provojnë se i dyshuari Momir Jakšić kishte qenë pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.
Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e të arrestuarve, të cilët janë Momir Jakšić (80 vjeç) dhe Miljko Biševac (65 vjeç).
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, hetimet intensive kanë vazhduar pas arrestimit të dy personave të dyshuar, M.J. dhe M.B., më 28 korrik 2026, për veprën penale “Krime lufte kundër popullësisë civile”, të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), lidhur me ngjarjet e ndodhura në Mitrovicë.
Me urdhër të Gjykatës Themelore, sot është kryer bastisje në lokacionin e të dyshuarit Momir Jakšić në Zubin Potok.
“Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish armatën Jugosllave”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet bëjnë të ditur se rasti po vazhdon të trajtohet nga ekipet relevante policore.
