Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar me mbeturinat në kryeqytet, duke thënë se ndërmarrja rajonale “Pastrimi” aktualisht operon me vetëm 12 kamionë për grumbullimin e mbeturinave.
E ftuar në emisionin “Forum” në DTV Media, Musmurati ka thënë se kapacitetet e pamjaftueshme të ndërmarrjes kanë bërë që Komuna të kërkojë bashkëpunim edhe me kompani private, në mënyrë që të përballohet situata në terren.
Sipas saj, ky bashkëpunim ka qenë zgjidhja e vetme e mundshme në rrethanat aktuale, pasi numri i kamionëve në dispozicion të kompanisë “Pastrimi” është jashtëzakonisht i ulët për nevojat e një qyteti si Prishtina.
Ajo ka theksuar se gjendja në terren është dëshmi e kësaj krize, me kontejnerë të stërmbushur, mbeturina të shpërndara në hapësira publike dhe ankesa të shumta nga qytetarët.
Një pjesë të rëndësishme të diskutimit, Musmurati ia kushtoi edhe kredisë prej 74 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), e cila, sipas saj, po mbahet e panënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ajo ka thënë se ky financim do të mundësonte blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve të rinj, duke rritur ndjeshëm kapacitetet për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë dhe komunat përreth.
Sipas dokumentacionit të prezantuar dhe raportimeve për projektin, financimi nga KfW është i ndarë në dy faza dhe synon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.
Faza e parë: 24.1 mil. €/; – 4.1 milionë euro grant nga Qeveria Gjermane; – 20 milionë euro kredi e butë.
– Rreth 100 kamionë të rinj; – 10 mijë kontejnerë; – Platforma për vendosjen e kontejnerëve dhe pajisje të tjera.
Faza e dytë: 50 mil. €; – Blerja e kamionëve dhe kontejnerëve shtesë; – Ndërtimi i qendrave për riciklim; – Qendra për kompostimin e mbeturinave; Gjithsej financimi 74 mil. €
Sipas Musmuratit, procesi ka nisur që në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024. Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar me nënshkrimin e nevojshëm nga Ministria e Financave.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë dhe ministrin Hekuran Murati për bllokimin e financimit, duke thënë se mungesa e investimeve po e vështirëson pastrimin e kryeqytetit.
Sot, më 12 nëntor, Rama ka bërë të ditur se Komuna ka angazhuar sektorin privat dhe po bashkëpunon me UNDP-në për të shtuar kapacitetet e pastrimit.
Ai ka njoftuar për angazhimin e 14 kamionëve përmes sektorit privat dhe pritjen që të angazhohen edhe 10 kamionë të tjerë të kompanisë “Pastrimi”, duke e çuar numrin në 24.
Në anën tjetër, ministri Hekuran Murati ka dhënë një arsyetim tjetër për mosfinalizimin e marrëveshjes. Sipas tij, Banka Gjermane për Zhvillim kërkon qëndrueshmëri financiare dhe institucionale të kompanisë “Pastrimi”, për të cilën ai ka pretenduar se është keqmenaxhuar gjatë qeverisjes së Përparim Ramës.
Kështu, përgjegjësia për gjendjen e krijuar është shndërruar në përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe nivelit qendror, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me problemin e mbeturinave.
