Një kontest pronësor që ka nisur më shumë se dy dekada më parë dhe përfshin mbi shtatë hektarë tokë në Graçanicë është kthyer përsëri për shqyrtim në shkallën e parë.
Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka aprovuar si të bazuar ankesën e 18 paditësve nga Graçanica, të paraqitur kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Komunës së Graçanicës.
Me aktvendimin e marrë më 23 korrik 2026, Kolegji i Apelit ka anuluar aktvendimin e shkallës së parë të 26 marsit 2026 dhe kërkesën e paditësve për caktimin e masës së sigurimit e ka kthyer në rivendosje.
Kolegji që vendosi për këtë çështje përbëhej nga gjyqtarët Sylejman Shumolli, Ilmi Bajrami dhe Shkelzen Sylaj.
Kontesti përfshin pesë ngastra kadastrale në Zonën Kadastrale të Graçanicës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi shtatë hektarësh.
Në aktvendim janë përfshirë këto prona:
Ngastra kadastrale numër 566, në vendin e quajtur “Kod Igralishte”, me sipërfaqe prej 2 hektarësh, 79 ari e 29 metra katrorë;
Ngastra kadastrale numër 636, në vendin e quajtur “Selo”, me sipërfaqe prej 1 hektari, 42 ari e 28 metra katrorë;
Ngastra kadastrale numër 635, po ashtu në vendin e quajtur “Selo”, e cila përfshin 67 ari e 68 metra katrorë tokë, 6 ari e 77 metra katrorë shtëpi dhe ndërtesë, si dhe 5 ari oborr. Sipërfaqja e përgjithshme e kësaj ngastre është 79 ari e 45 metra katrorë;
Ngastra kadastrale numër 143, me sipërfaqe prej 21 ari e 35 metra katrorë;
Si dhe ngastra kadastrale numër 192, me sipërfaqe prej 1 hektari, 96 ari e 18 metra katrorë.
Sipërfaqja e përgjithshme e pronave të përfshira në këtë kontest arrin në rreth 7 hektarë, 18 ari e 55 metra katrorë.
Padia për këtë çështje ishte paraqitur më 26 shkurt 2002. Paditësit pretendojnë të drejta pronësore që lidhen me pronën e N.S., e cila, sipas pretendimeve të tyre, ishte marrë në bazë të një aktgjykimi të vitit 1949.
Bëhet fjalë për aktgjykimin P.nr.2686/49, të datës 6 dhjetor 1949.
Përmes padisë, trashëgimtarët kanë kërkuar që pjesët e pronës të cilat pretendohet se nuk janë shfrytëzuar t’u kthehen, ndërsa për pjesët që janë përdorur për ndërtimin e shkollës dhe shtëpisë së kulturës kanë kërkuar kompensim.
Vlera e kompensimit, sipas kërkesës së tyre, do të duhej të përcaktohej pas kryerjes së ekspertizës përkatëse.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, në përgjigjen e paraqitur më 31 mars 2014, kishte kundërshtuar kërkesën e paditësve.
AKP-ja kishte ngritur çështjen e legjitimitetit të tyre trashëgimor, duke kundërshtuar gjithashtu pretendimet që lidheshin me posedimin dhe fitimin e pronësisë përmes parashkrimit fitues.
Procedura kishte vazhduar edhe gjatë vitit 2016. Më 20 maj të atij viti ishte dorëzuar një parashtresë me prova nga njëri prej paditësve, ndërsa më 27 maj 2016 ishte mbajtur seancë gjyqësore.
Më 30 shtator 2016, procedura në këtë çështje ishte ndërprerë.
Zhvillime të reja në këtë kontest pati më 1 dhjetor 2023, kur paditësit paraqitën propozim për caktimin e masës së sigurimit.
Përmes kësaj mase, ata kërkuan që të ndaloheshin veprimet që do të mund ta dëmtonin, tjetërsonin ose ndryshonin gjendjen e pronave kontestuese deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.
Paditësit pretenduan se Komuna e Graçanicës kishte ndërmarrë veprime për ta shndërruar njërën prej parcelave kontestuese në park.
Pikërisht këto veprime, sipas tyre, krijonin rrezik që prona ta ndryshonte gjendjen faktike përderisa kontesti gjyqësor për pronësinë ende nuk kishte përfunduar.
Shkalla e parë e Dhomës së Posaçme kishte vendosur lidhur me kërkesën për masën e sigurimit përmes aktvendimit C-III-12-1591, të datës 26 mars 2026.
Të pakënaqur me këtë vendim, paditësit paraqitën ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji i Apelit e vlerësoi ankesën si të bazuar dhe vendosi që aktvendimi i shkallës së parë të anulohej.
“Ankesa e paditësve aprovohet si e bazuar. Aktvendimi i shkallës së parë C-III-12-1591, i datës 26 mars 2026, anulohet. Kërkesa e paditësve për caktimin e masës së sigurimit kthehet në rivendosje”, thuhet në dispozitivin e vendimit.
Kolegji i Apelit ka vendosur gjithashtu që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta procedurale.
Me këtë aktvendim, Gjykata Supreme nuk ka vendosur përfundimisht se kujt i takojnë pronat kontestuese dhe as nuk ua ka kthyer paditësve tokën.
Vendimi lidhet me kërkesën për masë sigurimi, për të cilën shkalla e parë do të duhet të vendosë përsëri, duke vepruar sipas vlerësimeve dhe udhëzimeve të Kolegjit të Apelit.
Kjo do të thotë se beteja gjyqësore për tokën mbi shtatëhektarëshe në Graçanicë vazhdon, ndërsa çështja e mbrojtjes së përkohshme të pronës do të shqyrtohet sërish.
