Në emisionin Info D të televizionit DTV Media, i ftuar ishte kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Burim Krasniqi. Gjatë intervistës, ai prezantoi disa nga pikat kyçe të programit të tij, me theks të veçantë në përmirësimin e kushteve për nxënësit e shkollave të mesme.
Krasniqi premtoi transport falas për të gjithë nxënësit që ndjekin shkollat e mesme në territorin e komunës.
“Do të fillojmë nga shkolla e mesme në qytetin e Rahovecit dhe më pas në Krushë e në Nagavc. Qëllimi është që asnjë prind të mos ketë më nevojë të mendojë për pagesat e transportit të fëmijës së vet,” u shpreh ai.
Përveç transportit, kandidati i LDK-së njoftoi edhe për një plan të ri sigurie në shkolla. Ai tha se nxënësit do të pajisen me uniforma dhe kartela identifikuese, ndërsa do të ketë sigurim fizik në objektet shkollore, për të garantuar mbrojtjen dhe kontrollin e mjedisit mësimor.
“Çdo prind duhet të ndihet i qetë kur e dërgon fëmijën në shkollë. Nxënësi që hyn në shkollë, nuk del gjatë orarit pa u kontaktuar prindi. Nuk do të lejojmë që hapësirat e shkollave të kthehen në vende ku zhvillohen sjellje negative apo të rrezikshme për të rinjtë tanë,” tha Krasniqi.
