Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Burim Krasniqi, ishte i ftuar në emisionin Info D në televizionin DTV Media, ku diskutoi për sfidat dhe dështimet në nivel lokal, si dhe ndikimin e zhvillimeve në skenën qendrore politike.
Krasniqi deklaroi se bllokadat në nivel qendror nuk janë të mira për vendin dhe se kjo situatë duhet të marrë një zgjidhje në mënyrë që Kosova të ecë përpara lirshëm.
“Kur bllokada nuk është e mirë për Kosovën, atëherë ka pak rëndësi për nivelin lokal. Kosova duhet të ecë lirshëm. Nuk jam këtu për kalkulime politike apo interesa personale – jam këtu për t’i shërbyer qytetarëve të Komunës së Rahovecit,” theksoi ai.
Duke folur për problemet konkrete në komunë, ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale lokale, duke thënë se dështimi më i madh ka qenë mungesa e aftësisë për të menaxhuar projektet e mëdha.
“Është bërë praktikë që të lëvizet vetëm për veprime të vogla, për një grusht votash. Por për projekte të mëdha – të gjitha kanë dështuar. Kjo tregon mungesë vizioni dhe menaxhimi ” u shpreh Krasniqi.
