Gazetari dhe analisti Berat Buzhala ka diskutuar në emisionin “Forum” në DTV Media për ligjin e votuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara në Hagë dhe për pasojat e mundshme juridike për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore.
Duke folur për konceptin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, Buzhala tha se, sipas tij, juristët mund të kenë pritshmëri që kjo çështje të trajtohet në Apel.
“Këta mund të dënohen, le të themi, për krime individuale, për krime direkte”, tha Buzhala gjatë diskutimit.
Ai e lidhi këtë deklaratë me një pikë të ligjit të miratuar në Kuvend, ku parashihet mundësia që personat e dënuar të mund të falen përmes një dekreti të Presidentit, në pajtim me kushtet dhe procedurat përkatëse.
Buzhala foli gjithashtu për kritikat ndaj mënyrës se si janë trajtuar në Hagë ish-krerët e UÇK-së, duke iu referuar edhe një organizate britanike, e cila, sipas tij, ka ngritur pretendime për shkelje flagrante ndaj të akuzuarve dhe të dënuarve.
