Salih Mustafa, i cili ndodhet në Hagë, së bashku me bashkëluftëtarët e tij ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të veprimtares Flora Brovina.
Në ceremoninë përkujtimore për Brovinën, vajza e Salih Mustafës, Buna Mustafa, ka përcjellë fjalët e babait të saj, duke thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ndajnë dhimbjen për humbjen e bashkëveprimtares dhe bashkëluftëtares së tyre.
“Babai, Cali, me shokët e tij në Hagë, duan të shprehin dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e bashkëveprimtares dhe bashkëluftëtares së tyre. Ngushëllojnë familjen dhe të gjithë shoqërinë. Përmes telefonatës, babi më obligoi të ndaj me ju disa fjali”, tha Buna Mustafa.
Ajo më pas përcolli edhe fjalët e Salih Mustafës për figurën e Flora Brovinës.
“Bota duhet të dijë se kush ishte doktoreshë Flora. Ajo ishte shpirti i rezistencës. Krah i djathtë i imi dhe Isa Kastratit. Ishte luftëtare e Guerilës. Flora ishte UÇK”, citoi Buna Mustafa fjalët e babait të saj.
Flora Brovina u nda nga jeta, ndërsa lajmi për vdekjen e saj është përcjellë me reagime dhe homazhe nga figura e institucione të ndryshme në Kosovë.
