Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është një projekt paqeje i ndërtuar mbi tejkalimin e konflikteve historike dhe orientimin drejt një të ardhmeje të përbashkët.
Sipas tij, përvoja evropiane tregon se ish-palët ndërluftuese mund të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme përmes bashkëpunimit dhe përqendrimit në objektiva të përbashkëta për zhvillim dhe prosperitet.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidenti i Këshillit Evropian ka deklaruar se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar në këtë proces dhe ka kërkuar angazhim edhe nga Beogradi.
“Shikoni, Bashkimi Evropian është një projekt paqeje. Bashkimi Evropian lindi nga hiri i Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi kur ish-palët ndërluftuese, veçanërisht Gjermania dhe Franca, vendosën ta tejkalojnë historinë e tyre dramatike dhe të përqendrohen në një të ardhme të përbashkët dhe të begatë. Kjo është historia e Bashkimit Evropian dhe ky është edhe vizioni i tij për të ardhmen. Të gjithë ne kemi pasur probleme me fqinjët tanë në të kaluarën. Ndonjëherë probleme shumë, shumë, shumë të rënda. Por duhet të vendosim se çfarë duam t’i japim më shumë vlerë: të ardhmes sonë të përbashkët apo konflikteve që kemi pasur me njëri-tjetrin në të kaluarën. Duhet të fokusohemi te e ardhmja”, ka thënë ai.
Tutje, Costa, shtoi se fokusi duhet të mbahet tek e ardhmja.
“Dhe ajo që po them këtu është e njëjta gjë që po them edhe në Beograd. Nëse është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të angazhohet në këtë dialog, është po aq thelbësore që edhe Beogradi të angazhohet në të. Për këtë, natyrisht, secili duhet të veprojë me mirëbesim dhe të njohë atë që duhet të njihet, por duke e mbajtur fokusin te e ardhmja”, ka deklaruar Costa para gazetarëve.
