Një zyrtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ndodhet në mesin e shtatë personave të arrestuar të enjten për përfshirje në veprimtari kriminale.
Polici i dyshuar për keqpërdorim të pozitës, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe disa vepra të tjera penale, është Vlonjat Behrami, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.
Behrami ra në pranga bashkë me katër zyrtarë të tjerë në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të enjten. Edhe dy qytetarë u arrestuan gjatë aksionit, njoftoi Prokuroria në një njoftim për media.
Aksioni është zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe në Obiliq.
“Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Pesë (5) persona zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore”, tha Prokuroria.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se mbetet e përkushtuar “në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.”
