Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën gjatë luftës, ka folur për rolin e Hashim Thaçit në UÇK dhe për përvojën e tij nga negociatat e viteve 1998-1999, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Petritsch, i cili ishte ndër diplomatët perëndimorë që e njihnin nga afër Thaçin gjatë luftës në Kosovë, është ndalur në çështjen e zinxhirit komandues të UÇK-së, marrëdhëniet e Thaçit me komandantët lokalë dhe negociatat për përfundimin e luftës.
Duke folur për aktgjykimin, Petritsch tha se një prej pyetjeve kryesore gjatë gjithë procesit gjyqësor ishte nëse UÇK-ja kishte pasur një zinxhir funksional komandues.
Sipas tij, prokuroria pretendonte se një strukturë e tillë ekzistonte dhe se Thaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, mbante përgjegjësi përfundimtare për krimet e pretenduara, ndërsa mbrojtja kishte argumentuar se UÇK-ja ishte një organizatë e decentralizuar, me raporte të ndryshme të pushtetit nga një rajon në tjetrin.
“Paraqitja e mbrojtjes me sa duket nuk i bindi gjyqtarët. Do të shohim nëse kjo do të qëndrojë edhe në procesin e apelit”, tha Petritsch.
Ai kujtoi edhe takimet dhe negociatat me Thaçin gjatë periudhës së luftës, duke e përshkruar atë si një politikan shumë të ri, por me aftësi politike.
“Ishte shumë i ri, as 30 vjeç nuk i kishte mbushur. Në krahasim me presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, një politikan i regjur e me përvojë të thellë, ky ishte natyrisht një ndryshim i madh”, tha Petritsch.
Megjithatë, sipas tij, ndërmjetësuesit perëndimorë e kuptuan shpejt se Thaçi kishte aftësitë politike të nevojshme për të udhëhequr delegacionin kosovar.
“Pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte inteligjencën politike që i nevojitej situatës së asaj kohe”, u shpreh ai.
Petritsch veçoi edhe faktin se Thaçi fliste gjermanisht, gjë që, sipas tij, i mundësoi një komunikim më të drejtpërdrejtë me të gjatë negociatave.
Duke folur për akuzat ndaj Thaçit për krime lufte, Petritsch tha se në vitin 1999 nuk kishte dëgjuar për krimet që më vonë do t’i viheshin në barrë ish-presidentit të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë lidhur me këtë”, tha ai, duke kujtuar se në atë periudhë forcat serbe të sigurisë po kryenin krime ndaj popullatës civile në Kosovë.
Petritsch tregoi gjithashtu për përpjekjet e tij dhe të diplomatëve perëndimorë për ta përfshirë UÇK-në në procesin politik dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Ai kujtoi veçanërisht negociatat në Rambouillet, ku bashkë me ministrin e Jashtëm gjerman të asaj kohe, Joschka Fischer, i kishin bërë presion Thaçit që të pranonte propozimet perëndimore.
Sipas Petritschit, në këmbim të tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, UÇK-ja duhej të pranonte shpërbërjen dhe çarmatimin.
Në këtë moment, diplomati austriak tha se kishte krijuar përshtypjen se Thaçi ishte “i ngrirë nga frika”.
“Si gjithnjë, ishte tejet i përqendruar dhe përgjigjej vetëm me fjali të shkurtra e të përmbledhura. Por ai druante se një vendim i gabuar mund t’i kushtonte me jetë në Kosovë”, rrëfeu Petritsch.
Ai shtoi se Thaçi duhej të konsultohej vazhdimisht me njerëzit në Kosovë për të përcaktuar se deri ku mund të shkonte në negociata, ndërsa pyetja ishte se si do të reagonin komandantët lokalë ndaj shpërbërjes së UÇK-së.
Petritsch foli edhe për strukturën e UÇK-së dhe marrëdhëniet e Thaçit me komandantët rajonalë.
Sipas tij, UÇK-ja përpiqej të paraqitej si një trupë e organizuar mirë dhe me hierarki të qartë, por kjo nuk përkonte domosdoshmërisht me realitetin.
“UÇK-ja bënte përpjekje të mëdha për t’u paraqitur para nesh si një trupë ushtarake apo paraushtarake e organizuar mirë dhe me një hierarki strikte. Por përshtypja që ajo dëshironte të krijonte nuk përkonte domosdoshmërisht me realitetin”, tha ai.
Si shembull, Petritsch përmendi një rast të shkëmbimit të të burgosurve gjatë dimrit të viteve 1998-1999.
Ai tregoi se UÇK-ja kishte kapur disa dhjetëra ushtarë serbë dhe se pala serbe kërkonte lirimin e tyre, ndërsa negociatat për renditjen e hapave ishin zhvilluar me komandantët lokalë.
Sipas Petritschit, komandantët më pas kishin kërkuar miratimin e Thaçit, duke e kontaktuar atë në telefon, dhe ai kishte dhënë pëlqimin.
Megjithatë, diplomati theksoi se kjo nuk do të thoshte se asgjë nuk mund të bëhej pa Thaçin.
“Kjo nuk mund të thuhet kështu”, tha Petritsch, duke shtuar se bisedimet ishin zhvilluar në luginën e Drenicës, që ai e përshkroi si bastion të Thaçit.
“Vetëm pak fshatra më tutje, ai me shumë gjasë nuk do të kishte luajtur asnjë rol në bisedime të ngjashme. UÇK-ja ishte një organizatë heterogjene”, deklaroi ai.
Petritsch përmendi edhe Ramush Haradinajn, i cili pas luftës u bë kryeministër i Kosovës, duke thënë se në atë kohë nuk e njihte dhe nuk kishte dëgjuar për të.
Në fund, duke folur për mundësinë e apelimit të aktgjykimit ndaj Thaçit, Petritsch tha se vendimi i shkallës së parë nuk duhet parë domosdoshmërisht si fjala e fundit.
Ai përmendi rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili ishte dënuar në shkallën e parë nga Tribunali i OKB-së për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, por më pas ishte shpallur i pafajshëm në apel.
“Kjo nuk do të thotë se një përmbysje e tillë duhet patjetër të përsëritet në rastin Thaçi. Por, aktgjykimi i sotëm nuk ishte domosdoshmërisht fjala e fundit”, tha Petritsch.
