Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Heshtja”, i zhvilluar më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Një ditë para arrestimit, Haraqija publikoi një urim emocional për mikun e tij, Bashkim Osmani, me rastin e 60-vjetorit të lindjes.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Haraqija e kishte cilësuar Osmanin si “mik të veçantë”, duke theksuar se ai i kishte qëndruar pranë në ditët e mira dhe të vështira.
“Këto gjëra nuk harrohen kurrë”, kishte shkruar Haraqija, duke e përmbyllur urimin me fjalët “edhe 100 vite”.

Ndërkohë, vetëm një ditë më vonë, emri i ish-ministrit doli në mesin e personave të arrestuar në operacionin policor “Heshtja”, i cili lidhet me hetimet për trafikim dhe shpërndarje të dyshuar të narkotikëve.
Sipas avokatit të tij, Korab Bokshi, Haraqija është intervistuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë. Avokati ka bërë të ditur se gjatë bastisjes së banesës së klientit të tij nuk është gjetur asgjë inkriminuese, ndërsa ka paraqitur ankesë lidhur me ndalimin.
Kush është Bashkim Osmani dhe kush është “Felixi”?
Bashkim Osmani është një biznesmen me prejardhje nga Gjakova, i vendosur prej vitesh në Gjermani. Familja Osmani u bë e njohur në Hamburg për investime në patundshmëri, lokale nate dhe biznese në zonën e Reeperbahn-it. Në vitin 2008, Bashkim Osmani u dënua nga Gjykata e Hamburgut me *tre vjet e nëntë muaj burgim* në një rast ekonomik që lidhej me kredi të marra përmes personave të tjerë dhe financimin e projekteve në patundshmëri. Procesi ishte zhvilluar bashkë me vëllain e tij, Burim Osmanin, i cili u dënua me pesë vjet e 11 muaj burgim.
Emri i Bashkim Osmanit u rikthye në vëmendje në shkurt të vitit 2022, kur u arrestua në Kroaci në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Europol dhe Eurojust. Hetuesit spanjollë e dyshonin për përfshirje në një rrjet që merrej me trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash. Në Mallorca, autoritetet kontrolluan vilën e tij, hotelin *BO* dhe restorantin *Ritzi* në Puerto Portals. Sipas hetuesve, përmes investimeve në patundshmëri, biznese dhe art dyshohej se ishin pastruar të ardhura të trafikimit të drogës. Osmani i ka mohuar akuzat. Pas rreth tre muajsh në paraburgim, ai u lirua me kushm . “Felixi” është Nofka që i referohet vëllait të tij Qazim Osmanit, i cili në burimet gjermane përmendet si *Qazim “Felix” Osmani*.
Sipas raportimeve, ai e mori këtë nofkë për shkak të lidhjes me botën e lojërave të fatit dhe figurës së tij në skenën e kazinove e lokaleve të natës. Qazim “Felix” Osmani është përmendur në hetime dhe raportime për bizneset e familjes në Hamburg, Pragë dhe vende të tjera të Evropës. Në vitin 2011, ai u dënua në Hamburg me *9 mijë euro gjobë* për deklarim të rremë gjatë dëshmisë në procesin kundër vëllezërve të tij.
Raportimet investigative kanë përmendur familjen Osmani në kontekstin e bizneseve të lojërave të fatit, patundshmërive dhe jetës së natës. OCCRP e ka përmendur familjen e Qazim Osmanit në një hulumtim për përdorimin e kompanive dhe bizneseve në Pragë nga grupe të dyshuara të krimit të organizuar. Megjithatë, raportimi duhet lexuar me kujdes: ai përmbledh pretendime policore dhe investigative, jo domosdoshmërisht dënime për çdo akuzë të përmendur.
Astrit Haraqia e ka quajtur Bashkim Osmanin “Baka” dhe “mik” në urimin publik për 60-vjetorin e tij. Në atë postim, Haraqia shkruante se Osmani i kishte qëndruar pranë në ditë të mira e të vështira dhe se këto gjëra nuk harrohen.
