Një familje shqiptare është dënuar me disa vite burg në Britani të Madhe për përfshirje në një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës përmes WhatsApp-it.
Sipas “Daily Mail”, Rezart Balesi, 44 vjeç, është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg, ndërsa djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, me 4 vjet burg. Vëllai i Rezartit, Refail Balesi, 39 vjeç, është dënuar me 5 vjet e 3 muaj.
Vendimi është marrë në Manchester Crown Court pas një hetimi të gjatë. Sipas prokurorisë, Rezart Balesi përdorte një biznes në Bury si bazë të aktivitetit, ndërsa djali dhe vëllai i tij menaxhonin porositë e kokainës përmes WhatsApp-it.
Gjykata vlerësoi se grupi mund të gjeneronte deri në 9 mijë paund në një natë, ndërsa gjatë një periudhe tre mujore dyshohet se janë shpërndarë rreth 790 gramë kokainë.
Gjykatësja kritikoi ashpër Rezart Balesin për përfshirjen e djalit të tij në aktivitetin kriminal, duke i thënë se për këtë veprim “duhet të ketë turp përgjithmonë”.
Në kuadër të të njëjtit hetim janë dënuar edhe disa persona të tjerë, ndërsa autoritetet britanike thanë se kanë arritur të “çmontojnë një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar”.
