Analisti politik Dukagjin Gorani, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka shprehur skepticizëm për mundësinë që një lëvizje shoqërore të sjellë ndryshime të mëdha politike, duke paralajmëruar se e njëjta rrezikon të ndodhë edhe me protestat në Shqipëri.
Gorani ka thënë se gjenerata e re e ndien nevojën për të dalë në rrugë dhe për të shprehur pakënaqësinë, por kur vjen momenti që kjo pakënaqësi të shndërrohet në veprim konkret, protestat rrezikojnë të kthehen në një formë të argëtimit publik.
“Po dalim sot, po mblidhemi dhe po argëtohemi përmes një proteste formale, të sjellë në një nivel më shumë të një festiviteti të vogël”, është shprehur Gorani.
Ai ka vlerësuar se problemet e shoqërisë, politikës dhe shtetit shqiptar janë shumë më të thella dhe se ekziston rreziku që përmes këtyre lëvizjeve të humbet një mundësi e rëndësishme për reflektim dhe ndryshim.
Sipas tij, shoqëria shqiptare duhet të ndalet, të analizojë situatën dhe të gjejë mënyra konkrete për përmirësimin e llogaridhënies dhe të qeverisjes së mirë.
“Ky lloj i qeverisjes nuk mund të rrëzohet e as të ndryshohet nga një lëvizje shoqërore”, ka deklaruar Gorani në emisionin “Forum”.
