Analisti politik Dukagjin Gorani ka dhënë një vlerësim kritik për skenën politike në Kosovë, duke thënë se vendi tashmë ka mbetur pa një opozitë të mirëfilltë.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Gorani deklaroi se mungesa e opozitës nuk është problem vetëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por i gjithë spektrit politik në vend.
“Nuk ka më opozitë në Kosovë, jo vetëm në LDK, por as në Kosovë”, u shpreh Gorani.
Ai argumentoi se, sipas tij, problemi qëndron te mënyra se si funksionojnë partitë politike, ku synimi kryesor nuk është domosdoshmërisht shtyrja përpara e një programi, agjende apo vizioni politik, por arritja e pushtetit dhe pjesëmarrja në qeverisje.
“Për fat të keq, apo të mirë, por më shumë mendoj për fat të keq, logjika e të qenit pjesë e partive politike në Kosovë përbëhet nga dëshira për të qenë pjesë e pushtetit, jo për të shtyrë përpara ndonjë agjendë apo vizion, por më shumë për të qenë pjesë e pushtetit, e qeverisjes apo e ndonjë koalicioni qeveritar”, deklaroi ai.
Sipas Goranit, kjo qasje tregon mungesën e një strategjie të qartë politike që do t’i motivonte subjektet dhe përfaqësuesit e tyre të angazhoheshin në politikë përtej synimit për të qenë pjesë e qeverisjes.
