Vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndërmarrë disa lëvizje të rëndësishme në kabinetin e tij ekzekutiv. Ai ka vendosur të themelojë një drejtori të re, Drejtorinë e Mobilitetit, dhe njëkohësisht ka emëruar këshilltarin e tij, Donat Lushaku, në krye të kësaj drejtorie.
Me këtë vendim, numri i drejtorive në Komunën e Prishtinës është rritur në 18, ndonëse Statuti i Komunës parasheh vetëm 11 drejtori. Për më tepër, Rama ka shkarkuar nga pozita e njërit prej dy posteve që mbante, Bekim Brestovci, i cili njëkohësisht kishte udhëhequr me Drejtorinë e Inspeksionit dhe atë të Shërbimeve Publike. Në vend të tij, në drejtimin e Shërbimeve Publike është emëruar Bekim Gashi, një ish-këshilltar komunal nga radhët e LDK-së dhe aktualisht këshilltar i Ramës në kabinetin qeverisës të Komunës.

Këto ndryshime vijnë në një periudhë kur Rama ka bërë disa levizje në strukturën e drejtorive komunale, disa i ka shuar, të tjera i ka themeluar nga e para. Kjo qasje e tij për të riformatuar ekzekutivin lokal është përcjellë me kritika dhe kontestime ligjore.

Demokracia.com kishte raportuar më herët se vendimi i Ramës për të shtuar drejtori të reja është bërë në kundërshtim me Statutin e Komunës së Prishtinës, i cili përcakton qartë numrin maksimal të drejtorive në 11. Tashmë, me tejkalimin e këtij kufiri, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka reaguar zyrtarisht, duke i kërkuar Komunës që të ndërmarrë hapa për harmonizimin e vendimeve me legjislacionin në fuqi.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, bazuar në të lartcekurat, kërkon nga Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës dhe Kuvendi i Kryeqytetit që të ndërmarrin veprime dhe, brenda afatit ligjor, të rishqyrtojnë aktet dhe t’i harmonizojnë me legjislacionin në fuqi dhe konform mandatit që kanë si organe komunale”, thuhej në një pjesë të vendimit.
Për të legalizuar funksionimin e drejtorive të reja, Komuna duhet të bëjë ndryshime në Statutin dhe rregulloret përkatëse, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi Komunal. Mirëpo, ky proces nuk është i thjeshtë, pasi Rama dhe LDK-ja kanë humbur shumicën në Kuvend pas largimit të PDK-së nga koalicioni qeverisës.
Drejtori të reja po krijohen njëra pas tjetrës, por me nga vetëm pesë punëtorë secila, pra më shumë zyre se sa staf.
