Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se një ekspertizë juridike e kërkuar prej tij nga Qendra e Ekspertizës për Qeverisje Shumënivelëshe pranë Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ka ngritur shqetësime për Projektligjin për Pronën Publike.
Sipas AKK-së, ekspertiza vlerëson se projektligji mund të cenojë pronësinë komunale, autonominë lokale dhe ushtrimin e kompetencave të komunave.
Në dokument thuhet se projektligji i trajton komunat më shumë si përdoruese, menaxhuese apo administruese të pronës, ndërsa pronësinë e saj ia atribuon nivelit qendror.
Ekspertiza paralajmëron se një qasje e tillë mund të ndikojë në ushtrimin e kompetencave komunale, zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin hapësinor, shfrytëzimin e tokës dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
Po ashtu, sipas dokumentit, projektligji kufizon mundësinë e komunave për të disponuar dhe shkëmbyer pronën, ndërsa nuk e përcakton qartë statusin e pronës së blerë apo krijuar me mjete komunale, si dhe asaj të përfituar përmes donacioneve ose trashëgimisë.
Shqetësime janë ngritur edhe për të hyrat vetanake të komunave, pasi ekspertiza vlerëson se ndryshimet e propozuara mund ta rrisin varësinë financiare të pushtetit lokal nga niveli qendror.
Sipas AKK-së, ekspertiza identifikon probleme të mundshme të përputhshmërisë së Projektligjit me disa dispozita të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, përfshirë ato që lidhen me autonominë lokale, kompetencat dhe burimet financiare të komunave.
Dokumenti përmend gjithashtu mungesën e një konsultimi të mirëfilltë me komunat dhe AKK-në, duke vlerësuar se kjo mund të ngrejë çështje edhe në raport me detyrimet që dalin nga Karta Evropiane.
Ekspertiza evidenton edhe kundërthënie të mundshme me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, veçanërisht sa i përket të drejtës së komunave për të zotëruar dhe menaxhuar pronën dhe ushtrimit të kompetencave të tyre.
Në përfundim, rekomandohet që Projektligji për Pronën Publike të rishikohet në mënyrë thelbësore para miratimit, ndërsa ekspertiza sugjeron që pronësia komunale të ruhet në mënyrë të qartë.
AKK ka përsëritur kundërshtimin ndaj asaj që e konsideron centralizim të pronës komunale, duke argumentuar se prona e komunave është në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit lokal.
