Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka shprehur bindjen se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do të marrë mbështetje edhe më të madhe sesa në Kuvendin e LDK-së të mbajtur në janar.
Ferati tha se këtë bindje e bazon në punën që Abdixhiku ka bërë gjatë viteve në krye të partisë.
“Unë kam bindje të plotë që rezultati do të jetë me diferencë të konsideruar. Në bazë të punës që është bërë, duke e ruajt sigurisht në çdo moment edhe delegatin, edhe aktivistin, edhe degët, edhe njerëzit që janë të dëshmuar ndër vite, mendoj që rezultati ka me qenë edhe më i thellë se në janar”, potencoi Ferati.
Ai u shpreh se është i mendimit që “zoti Abdixhiku duhet të vazhdojë deri në kuvendin e rregullt të LDK-së”.
“Mendoj që ende ka çka për t’i dhënë LDK-së dhe mendoj që është një prej kryetarëve që ka qenë jashtëzakonisht aktiv edhe një prej kryetarëve më punëtorë në kuptim të terrenit edhe të riorganizimit e të organizimit të LDK-së për krejt këto vite”, deklaroi ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së.
Ferati theksoi se Abdixhiku e ka marrë drejtimin e partisë në një periudhë të vështirë.
“Ne e dimë në çfarë situate e ka marrë LDK-në me udhëheq zoti Abdixhiku edhe e dimë që ka mbrri me ruajt një kohezion e unitet për një kohë goxha të gjatë ani pse LDK-ja… jo LDK-ja, por Kosova pothuajse vit pas viti është shkuar në një palë zgjedhje të cilat herë jemi qenë më të suksesshëm, herë me rezultat jo të kënaqshëm, mirëpo nuk duhet me na përcaktu mendoj diçka për të cilën jemi të gjithë përgjegjës dhe ai është rezultati zgjedhor. Përbrenda listës së LDK-së kemi qenë të gjithë, secila degë, të përfaqësuar edhe rezultati që kemi mbërrirë është rezultat i të gjithëve. Normalisht që me të drejtë përgjegjësia dhe vendimmarrja më e madhe i takon kryetarit të partisë por nuk do duhej të na i përcaktonte deri në këtë shkallë sjelljet tona politike”, u shpreh Ferati.
Ai shtoi se Abdixhiku mund të mbetet kryetar edhe nëse fiton me vetëm një votë më shumë, por theksoi se “në kuptim të autoritetit moral, pastaj ajo mbetet te gjykimi politik i zotit Abdixhiku se qysh vendos tutje”.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së është thirrur për të enjten, duke filluar nga ora 18:00.
