Kompania e njohur Ferrero ka tërhequr nga tregu gjerman një seri të kufizuar të kekëve me Nutella, pas dyshimeve se produktet mund të përmbajnë fragmente metali.
Sipas njoftimit zyrtar, masa prek vetëm kekët e shitur në furrat e bukës brenda supermarketeve dhe hipermarketeve në Gjermani gjatë periudhës 16–25 qershor 2026. Produktet e tjera të Nutella-s dhe seritë e tjera të ëmbëlsirave nuk janë të përfshira në këtë tërheqje.
Ferrero ka bërë të ditur se konsumatorët nuk mund ta identifikojnë lehtësisht serinë e prekur, pasi produktet shiten pa paketim origjinal, ndaj rekomandohet që të mos konsumohen kekët e blerë në këtë periudhë.
Shitësit kanë nisur menjëherë largimin e produkteve nga raftet, ndërsa klientëve u ofrohet mundësia e kthimit të tyre dhe rimbursimit të plotë.
Kompania gjithashtu ka aktivizuar shërbimin e saj të kujdesit për konsumatorët për çdo informatë shtesë lidhur me rastin.
