Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se nuk mbështet ndryshime në parti nëse ato, sipas tij, po përkrahen nga figura të afërta me SHIK-un dhe PDK-në.
Në një postim publik, Geci ka thënë se fillimisht kishte menduar t’i bashkohej kërkesës së kryetarëve të degëve të Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e Abdixhikut, por se ndryshoi qëndrim pasi pa kush po e mbështeste atë iniciativë.
“Mbrëmë desha edhe unë t’i bashkohesha kërkesës së kryetarëve të degëve të Pejës dhe Lipjanit për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së. Por, kur pashë se kësaj kërkese i ishin bashkëngjitur ish-pjesëtarë të SHIK-ut, si dhe disa eksponentë e analistë të PDK-së, hoqa dorë”, ka shkruar ai.
Geci ka vlerësuar se LDK-ja duhet të respektojë vendimet e Kuvendit të Janarit 2026, ku Abdixhiku mori votëbesimin e delegatëve.
“E për me e marrë LDK-në e me e çu në duart e SHIK-ut, nuk ban bre! Ma mirë po e lëmë apet qaty ku e ka lënë Kuvendi i Janarit”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se, sipas tij, LDK-ja është përballur me sulme si nga jashtë ashtu edhe nga brenda gjatë periudhës zgjedhore.
