Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka reaguar pas paralajmërimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se Kosova rrezikon t’i humbasë Lojërat Mesdhetare 2030 për shkak të mungesës së përgjigjes institucionale nga kryeministri Albin Kurti.
Gashani ka siguruar se përkushtimi i Qeverisë për organizimin e këtij eventi sportiv mbetet i plotë, duke thënë se institucionet po vazhdojnë punën në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe partnerët e tjerë.
Në një reagim publik, ministri e ka kritikuar Ramën për publikimin e korrespondencës së ICMG-së, duke pretenduar se ai nuk e ka paraqitur tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të Kryetarit të Prishtinës”, ka shkruar Gashani.
Ai ka theksuar se letra për trajtimin e shqetësimeve institucionale i ishte drejtuar edhe kryetarit të Prishtinës, e jo vetëm drejtuesve të tjerë të institucioneve.
Gashani ka shtuar se vështirësitë dhe problemet që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare po trajtohen nga Qeveria, ndërsa ka thënë se puna po vazhdon me përgjegjësi dhe në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara.
Sipas tij, ky aktivitet ka rëndësi të veçantë për sportin dhe për prezantimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre”, ka deklaruar ministri.
Reagimi i Gashanit vjen pasi Përparim Rama, duke iu referuar një letre të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, paralajmëroi se Kosova është në prag të humbjes së kësaj ngjarjeje sportive, duke ia atribuuar rrezikun mungesës së përgjigjes institucionale nga kryeministri Kurti.
Ministri ka përsëritur bindjen se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030.
“Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka përfunduar ai.
