Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka paraqitur të tjera gjetje nga raporti për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke evidentuar mangësi në veprimet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë dhe përgjegjësinë e Komunës për mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Gërvalla bëri të ditur se Qendra për Punë Sociale kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me Arlindën nga korriku deri në tetor, por nuk e kishte konsideruar detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët.
“Nga korriku dhe deri në tetor, Qendra për Punë Sociale kishte komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn. Megjithatë, raporti evidenton se Qendra nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët”, deklaroi Gërvalla.
Ajo theksoi se Qendra nuk e kishte dorëzuar brenda afatit raportin e kërkuar nga gjykata, ndërsa më 5 tetor përfaqësuesi i saj kishte munguar në seancë.
“Po ashtu, Qendra nuk e dorëzoi, ashtu siç ishte kërkuar nga gjykata, brenda afatit raportin e kërkuar. Më 5 tetor, përfaqësuesi i saj madje mungoi në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të seancës”, tha ministrja.
Sipas saj, përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave kishte kërkuar vazhdimisht raportin nga zyrtari përgjegjës, Durim Kelmendi, por pa sukses.
“Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht, pra çdo ditë, raportin nga zyrtari përgjegjës, Durim Kelmendi, por pa rezultat”, u shpreh Gërvalla.
Ministrja foli edhe për çështjen e fëmijës së mitur, duke theksuar se vlerësimi i psikologes klinike përmban të dhëna që kundërshtojnë atë që është paraqitur deri më tani publikisht lidhur me dëshirën e fëmijës për të qëndruar me nënën.
“Vlerësimi i psikologes klinike, të nderuar përfaqësues të mediave, përmban të dhëna që kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar deri tash se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij. Për shkak të mbrojtjes së privatësisë dhe interesit më të mirë të fëmijës, nuk do të hyjmë në hollësi sot”, deklaroi ajo.
Një tjetër çështje që ngriti Gërvalla ishte përgjegjësia e Komunës së Pejës për mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale.
“Ju e dini që kryetari i komunës ka kompetenca të veçanta të parapara me Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje. Siç jam unë Koordinatore Kombëtare, kryetari i komunës është Koordinator Lokal”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se deri në përfundimin e raportit, nga Komuna e Pejës kishin marrë vetëm një përgjigje të shkurtër.
“Deri në përfundimin e këtij raporti, nga Komuna kemi marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, që konfirmon se rasti qenka diskutuar në mekanizmin koordinues komunal”, u shpreh Gërvalla.
Sipas saj, Komuna nuk kishte dhënë informacione as për masat konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara dhe as për planet që kishte për ditët në vijim.
“Prandaj, nuk kemi marrë informacion as për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara dhe as se cilat plane ka Komuna gjatë ditëve të ardhshme. Për këtë presim sqarime edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherri”, përfundoi Gërvalla.
