Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha sot se partitë nuk duhet të vendosin kushte sa i përket negociatave me LVV-në.
“Ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që të diskutohet me njerëzit direkt në vend që t’i dërgohen mesazhe përmes mediave edhe ne këtë rend do ta respektojmë dhe me seriozitet maksimal do të angazhohemi”, tha Gërvalla në një deklarim për gazetarët sot.
E pyetur se partitë tjera e kanë kushtëzuar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje me projektin e gazit amerikan, ndaj të cilit Qeveria në detyrë po heziton, Gërvalla tha se opozita s’duhet të vendosë kushte.
“Opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte sepse vendosja e kushteve janë parakusht shumë i keq për fillim negociatash. Unë mendoj që qytetari i Republikës, ai është që vendos, e ka thënë fjalën e vet dhe do të duhej si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë të ulemi dhe të diskutojmë se cilët janë rrugët më të mira dhe pasi të diskutojmë natyrisht që do ta informojmë publikun, por hapat e parë bëhen në fillim dhe hapat informues bëhen më tej”, tha ajo.
