Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.
Në Graqanicë në vazhdimësi prej 26.10.2026 deri më 11.11.2026 është raportuar se viktima femër ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe ngacmuese nga i dyshuari me të cilin kishte bashkëjetuar. I dyshuari, Policia raporton se është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë janë regjistruar tri raste të ndryshme të dhunës në familje.
Më 10 nëntor është arrestuar një i dyshuar pasi në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj nënës dhe motrës së tij. Pas konsultimit me prokurorin i njejti është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Rreth orës 20:05, është raportuar se është arrestuar një i dyshuar pasi i njejti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortës së tij. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, rreth orës 22:10 është raportuar se një e mitur ka pësuar dhunë psikike nga prindërit e saj. Me urdhër të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Gjakovë ku janë arrestuar dy vëllezër të cilët janë përleshur fizikish mes vete. Nuk është raportuar për të lënduar ndërkaq me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në Leposaviq është raportuar se rreth orës 01:45 një femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Si pasojë viktima ka pësuar lëndme trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti është dërguar në mbajtje kurse vjehrri është liruar në procedurë të rregullt.
