Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar marrëveshjen e Kosovës me Maqedoninë për shitjen e qymyrit.
“Kur u prish projekti energjetik me ContourGlobal, përsëri reagoi vetëm Aleanca”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale për, siç është shprehur, arsyetime “nga më bizaret” për të mos prodhuar energji në Kosovë.
“Kjo qeveri ka gjetur arsyetime nga më bizaret për të mos prodhuar energji në Kosovë. Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë”, ka thënë ai.
Sipas Gjinit, një situatë e tillë është karakteristikë e vendeve të prapambetura dhe jo e shteteve që synojnë standardet evropiane.
“Dhe pa asnjë dyshim, kjo nuk ndodh ngaqë njerëzit atje janë të këqij, por sepse qeveritë e tyre janë të dëmshme dhe të korruptuara”, ka deklaruar kryetari i Aleancës.
Në fund, Gjini ka paralajmëruar se, sipas tij, qytetarët ende nuk e kanë parë të gjithë pasojën e kësaj mënyre të qeverisjes.
“Po duket se ende asgjë nuk kemi parë. Ky është karakteri i qeverisjes që 6 vite. Dhe as nuk iu vjen turp!”, ka përfunduar Gjini.
