Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në fjalimin e tij në “Marshin për Liri”, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së dhe luftëtarët e saj nuk duhet të persekutohen, duke theksuar se ata luftuan kundër forcave që, sipas tij, kanë kryer krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Gjini ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte kundër atyre që, sipas tij, kanë vrarë dhe dhunuar shqiptarë në Kosovë.
“Po ju flasim edhe armiqve, e sot armiqve po ju flet populli i lirë i Kosovës, gjithë ju që jeni këtu. Liri! Gjithkujt mundemi me i fol ndryshe, do i dojmë, do nuk i dojmë, po diçka e kuptojnë të gjithë: njëjtë, njëjtë. A e dini kundër kujt kanë luftu këta? A e dini kundër kujt kanë luftu UÇK-ja? A e dini kundër kujt kanë luftu katër burra që sot s’janë të lirë, po kanë me qenë të lirë, se na jemi të lirë. Kanë luftu kundër atyre që i kanë mbush kamionat frigorifer me trupa bashkëqytetarëve tanë shqiptarëve, dje me vajza të reja, pleq, gra. Kanë luftu kundër atyre që kanë dhunu me mijëra gra, në Kosovë, po kanë luftu kundër atyre që me 1998 i kanë vra fëmijët e vet, për me na akuzu neve. Fëmijët e vet i kanë vra me na akuzu neve kundër atyre, kanë luftu këta njerëz, edhe shumë prej jush që jeni këtu sot, komandantë të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ushtarë, kundër atyre kanë luftu”, tha ai.
Gjini ka thënë se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar kundër të njëjtëve njerëz që, sipas tij, kanë organizuar edhe vrasje në Sarajevë, duke kundërshtuar përgjegjësinë e tyre për luftën çlirimtare.
“Kanë luftu kundër të njëjtëve njerëz, që kanë organizu safari me vra njerëz në Sarajevë, të njëjtët kanë ardhë këtu me vra shqiptarë. Kundër atyre kanë luftu, e qysh mujnë me pas faj? Qysh mundet me pas faj një popull, qysh mujnë me pas faj njerëzit që e kanë kap pushkën për liri, kundër atyre që kanë qenë katel të më të mëdhenj në 80 vjetët e fundit në Evropë? Kundër atyre kanë luftu këta njerëz. Por duhet me i thonë këto fjalë na sot: këta njerëz kushdo që një ditë t’lume e ka kap pushkën me luftu për vendin e vet, e meriton me e ngritë kapelen secili, edhe me ju thonë qysh ju thojnë miqtë tanë: faleminderit për shërbimin, e jo me i persekutu boll mo gjatë o shku tu i persekutu luftëtarët e lirisë”, tha ai.
