Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të papranueshme si prova video-incizimin në Podgoricë të Malit të Zi, ashtu edhe audio dhe video-incizimet e tjera të marra me urdhër të gjykatës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj, të cilët akuzohen për “Ushtrim ndikimi”, si dhe ish-udhëheqësit të hetimeve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Behar Millaku, i cili akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, pasi ishin siguruar pa aktvendim për fillimin e hetimeve.
Lidhur me video-incizimin e realizuar në Mal të Zi, gjyqtari i rastit, Ertan Sejfulla, tha se gjykatat e Kosovës nuk kanë juridiksion në shtetin e huaj dhe se këto prova do të ishin të pranueshme nëse do të siguroheshin përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, mundësi kjo që nuk ishte shfrytëzuar nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes, por të akuzuarit deklaruan se do të mbroheshin në heshtje.
Seanca e radhës do të vazhdojë me dhënien e fjalëve përfundimtare.
Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 21 marsit 2018, por mbrojtësi i Behar Millakut, avokati Haxhi Millaku, kishte propozuar që rasti të gjykohej në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi një pjesë e hetimeve ishte zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Pas këtij propozimi, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e kishte dërguar lëndën te kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e kishte deleguar atë në Gjykatën Themelore në Pejë. Kjo e fundit i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila përfundimisht kishte vendosur që çështja të gjykohej në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Fillimisht, rasti ishte gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, por, pas kalimit të saj në Departamentin e Përgjithshëm dhe suspendimit të mëvonshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rastin po e gjykon gjyqtari Ertan Sejfulla.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj, me qëllim që vetes dhe personit zyrtar Behar Millaku t’i siguronin përfitim të kundërligjshëm, i kishin kërkuar para pronarit të kompanisë së lojërave të fatit “EGTK II SHPK”, Skender Fetaj. Qëllimi ishte që Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimeve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili po hetonte rastin e kësaj kompanie, të krijonte lehtësira gjatë hetimit, për t’ia rihapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia, si dhe për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj kishte siguruar informata për rrjedhën e hetimeve ndaj Skender Fetajt dhe ia kishte përcjellë ato të akuzuarit Sadrijaj, me qëllim që ta bindnin Fetajn t’u jepte para.
Fillimisht, sipas aktakuzës, Sadrijaj i kishte kërkuar ish-punëtorit të kësaj kompanie, Avni Qerimi, që t’i kërkonte Fetajt 4.000 euro. Qerimi ia kishte përcjellë këtë kërkesë menaxherit të kompanisë, Denis Cocaj, që paratë t’ia dërgonte Sadrijajt.
Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, Qerimi ia kishte dhënë këto para Sadrijajt. Disa ditë më vonë, Sadrijaj ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhej të jepte 30.000 euro për udhëheqësin e hetimeve, Behar Millaku, e më pas edhe 300.000 euro. Ai e kishte këshilluar Fetajn ta ndërronte avokatin, në mënyrë që paratë t’i dorëzoheshin policit Millaku për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.
Sipas aktakuzës, më 26 janar 2017, Fetaj ishte koordinuar me policinë dhe kishte fotografuar shumën prej 30.000 eurosh. Kur Denis Cocaj dhe Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijajn në një lokal në rrugën Pejë–Deçan, Kurmehaj ia kishte dorëzuar Sadrijajt shumën prej 30.000 eurosh në një zarf.
Më pas, sipas aktakuzës, Sadrijaj dhe Zogaj i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës i kishin ndërruar ato. Më vonë ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 eurosh. Millaku, i cili udhëtonte me një veturë të drejtuar nga Shaban Ramaj, ishte ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës. Gjatë kontrollit, atij i ishin sekuestruar 2.000 euro, ndërsa Sadrijajt, nga policia në Pejë, i ishin gjetur 2.200 euro.
Prokuroria e ngarkon Behar Millakun me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ilir Sadrijajn dhe Shefqet Zogajn me veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.
