Kuvendi i Kosovës ka miratuar të martën në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji, i iniciuar nga deputetët e PDK-së, ishte miratuar një ditë më herët në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Në votimin e dytë, më 6 tetor, ndryshimet u miratuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me këtë votim u përmbyll procedura parlamentare për këtë projektligj.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një deklaratë e ka vlerësuar votimin e ligjit dhe ka përshëndetur deputetët që e mbështetën atë.
“Votimi i ligjit është një punë shumë e madhe që është bërë dhe i përshëndes të gjithë ata deputetë që u bënë bashkë dhe e votuan ligjin”, ka thënë Gucati.
Ai ka deklaruar se tash pret nënshkrimin e Presidentes, në mënyrë që ligji të vazhdojë procedurat e mëtejme.
Sa i përket protestave, Gucati ka thënë se për këtë çështje do të ulen dhe do të diskutojnë për hapat e ardhshëm, ndërsa ka bërë të ditur se një protestë është planifikuar në Belgjikë.
“Sa i përket protestave ne do të ulemi e do të bisedojmë, për momentin ne e kemi në Belgjikë një protestë’’, ka deklaruar ai.
