Analisti politik Dukagjin Gorani ka përgëzuar vajzat që organizuan protestën në Prishtinë pas vrasjes së rëndë të Arlinda Zekajt në Pejë, duke vlerësuar shpejtësinë e organizimit dhe pjesëmarrjen e grave në këtë protestë.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Gorani ka thënë se protesta u organizua brenda një kohe të shkurtër, ndërsa sipas tij, pjesëmarrja dhe reagimi i qytetarëve dëshmuan përmasat e zemërimit dhe revoltës në shoqëri.
“Hallall ju qoftë vajzave që e organizuan protestën”, ishte mesazhi i Goranit për organizatoret.
Ai ka thënë se protesta e së mërkurës u dha qytetarëve mundësinë ta shihnin nga afër pakënaqësinë e madhe që ekziston në shoqëri pas një tragjedie të tillë.
Gorani ka veçuar veçanërisht zërat e grave që dëgjoheshin gjatë protestës, duke thënë se kjo ishte një përvojë e veçantë për të. Sipas tij, protestat në Kosovë janë perceptuar tradicionalisht si ngjarje ku dominonin burrat, ndërsa këtë herë gratë u shfaqën të përkushtuara dhe të vendosura për ta ngritur zërin.
Ai ka vlerësuar pjesëmarrjen e dhjetëra grave, duke e parë këtë mobilizim si një moment domethënës për shoqërinë kosovare.
Deklarata e Goranit vjen pas protestës së organizuar në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe në kërkim të përgjegjësisë institucionale, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
